Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në Kosovë ka bërë të ditur se po vazhdon monitorimi dhe inspektimi intensiv i çmimeve të derivateve të naftës, pas rritjes së fundit të çmimeve në tregun vendor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), aktualisht çmimet e naftës në pikat e shitjes me pakicë në Kosovë variojnë nga 1.39 euro deri në 1.55 euro për litër, ndërsa benzina shitet nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër.
Autoritetet kanë njoftuar se inspektorët janë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe masave mbrojtëse, i cili është nënshkruar më 4 mars. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme në treg.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për naftën (dizel) më 7 mars ishte rreth 1.40 euro për litër, ndërsa për benzinën rreth 1.14 euro për litër.
Institucionet kanë paralajmëruar se monitorimi do të vazhdojë në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës. Në rast se identifikohen parregullsi ose mosrespektim i vendimeve për marzhën e lejuar të fitimit, do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi.



