Sonte zhvillohet xhiroja e gjashtë në Ligën Unike të basketbollit, e cila pritet të jetë vendimtare për skuadrat që synojnë kualifikimin në Final 4.
Ekipet kërkojnë fitore për të mbajtur gjallë shpresat për fazën finale, që këtë vit do të organizohet në Shqipëri, ku edhe do të vendoset kampioni i kësaj gare.
Një nga përballjet më interesante të mbrëmjes pritet të jetë ajo ndërmjet Vllaznisë dhe GO+ Pejës. Në takimin e parë të zhvilluar në Pejë, skuadra shkodrane kishte triumfuar me rezultat 71:81. Aktualisht, Vllaznia ka dy fitore dhe një humbje, ndërsa pejanët regjistrojnë një fitore dhe tri humbje, duke e bërë këtë duel shumë të rëndësishëm për të dyja ekipet.
Ndeshje tjetër interesante pritet edhe në Therandë, ku Golden Eagle Ylli do të përballet me Apoloninë. Ylli numëron dy fitore dhe dy humbje, ndërsa Apolonia ka dy fitore dhe një humbje. Në përballjen e parë të zhvilluar në Fier, skuadra therandase kishte fituar me rezultat 61:71.
Këtë ndeshje mund ta ndiqni nga ora 19:30 direkt ne Sport 3. Ndërkohë, dy ndeshje të Grupit A do të regjistrohen me rezultat zyrtar.
Besëlidhja e fiton takimin ndaj Vëllaznimit me rezultat 20:0, ndërsa Teuta regjistron fitore 0:20 ndaj Borës.
Në këtë xhiro pritet të qartësohet edhe më shumë gara për katër vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në Final 4./Klankosova.tv


