Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim lamtumirës shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vend.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin e mirë dhe korrekt gjatë mandatit të tij, si dhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, kryeministri theksoi se është koha që Bashkimi Evropian të bëjë hapat e radhës në raport me Kosovën, duke përfshirë avancimin drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai vlerësoi se integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës.
Kurti gjithashtu vlerësoi rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e reformave demokratike dhe zhvillimit institucional në Kosovë, duke theksuar se vendi mbetet i përkushtuar për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian.
Ambasadori Orav, nga ana e tij, vlerësoi bashkëpunimin me institucionet e Kosovës gjatë mandatit të tij dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe procesit të integrimit evropian.



