Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë mbështetje teknike nga KFOR-i italian në kuadër të bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe përmirësimin e kushteve për të rinjtë.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se ka pritur përfaqësuesit e KFOR-it nga kontingjenti italian, Fabio Schiavone, Angela Scuccuglia dhe Guido Di Matteo, me të cilët ka diskutuar për projektet e përbashkëta.
Sipas Ademit, një nga temat kryesore të takimit ishte puna e realizuar në Kampin e Batllavës, si dhe projekti aktual për bartjen dhe vendosjen e kontejnerëve nga kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në kampin e futbollit në Bërrnicë.
Këta kontejnerë janë dhuruar nga komandanti i FSK-së, Gjenerali Bashkim Jashari, dhe do të shërbejnë për krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e reja të futbollistëve.
Ademi ka shprehur mirënjohje për KFOR-in italian për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ndihma e tyre përmes mjeteve teknike dhe angazhimit të trupave ushtarake kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit dhe në përmirësimin e kushteve për komunitetin.
Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës sportive në Kosovë dhe në mbështetjen e talenteve të reja në futboll.







