Lufta në vazhdim ndaj Iranit ka shkaktuar dorëheqjen e parë të një zyrtari të lartë në administratën e presidentit amerikan Donald Trump, duke nxjerrë në pah përçarjet e brendshme lidhur me këtë konflikt.
Bëhet fjalë për Joe Kent, drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në SHBA, i cili dha dorëheqje duke kundërshtuar hapur luftën ndaj Iranit.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Kent deklaroi se nuk mund ta mbështesë konfliktin, duke theksuar se sipas vlerësimeve të tij, Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara.
Ai gjithashtu kritikoi arsyet e nisjes së luftës, duke sugjeruar se vendimi për ndërhyrje ushtarake ishte ndikuar nga presione të jashtme dhe se kjo bie ndesh me parimet e politikës “America First”.
Kjo dorëheqje konsiderohet si e para në nivel të lartë brenda administratës Trump që lidhet drejtpërdrejt me luftën ndaj Iranit, një konflikt që ka nisur në fund të shkurtit dhe ka rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Zhvillimi tregon për ndarje të thella brenda administratës amerikane, ndërsa lufta vazhdon dhe shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm mbeten të larta në arenën ndërkombëtare.





