Të mërkurën zhvillohen ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën Unike për meshkuj, të cilat do të përcaktojnë edhe dy skuadrat që sigurojnë vendin në Final 4 nga Grupi B.
Këto përballje i takojnë javës së parë, e cila kishte mbetur e pazhvilluar më herët. Në program janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme. Golden Eagle Ylli përballet me Vllazninë, në një duel ku therandasit hyjnë me bilanc prej tri fitoreve dhe dy humbjeve, ndërsa skuadra shkodrane ka dy fitore dhe tri humbje.
Në takimin tjetër, Peja ndeshet me Apoloninë. Pejanët kanë regjistruar dy fitore dhe tri humbje, kurse skuadra nga Fieri ka tri fitore dhe dy humbje, duke e bërë këtë përballje po ashtu vendimtare për renditjen përfundimtare. Të dyja ndeshjet zhvillohen nga ora 19:30 dhe transmetohen në Artmotion.
Ndërkohë, nga Grupi A tashmë janë siguruar për Final 4 Besëlidhja, që ka dominuar me gjashtë fitore në po aq ndeshje, si dhe kampioni aktual Vëllaznimi, me tri fitore dhe tri humbje.
Turneu Final 4 i Ligës Unike do të zhvillohet javën e ardhshme në Shqipëri./Klankosova.tv





