Për të shënuar 27 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë në Kosovë dhe Serbi (E mal të Zi), në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë është hapur ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Në këtë ekspozitë paraqiten rrëfimet dhe detajet e krimeve të luftës përmes fotografive dhe dëshmive të dokumentuara, raporton Klankosova.tv.
Por, Endrit Binakaj, i mbijetuar i masakrës së Belegut, ka reaguar pasi thotë se në këtë ekspozitë mungojnë informatat për masakrën në fjalë.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se mungesa e Masakrës së Belegut, ku u vranë dhe u masakruan 46 civilë shqiptarë, përbën jo vetëm një lëshim serioz profesional, por edhe një padrejtësi të thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Binakaj thotë se nuk bëhet fjalë për një detaj të parëndësishëm apo për një rast periferik, por, sipas tij, “bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda të kryera në Komunën e Deçanit gjatë luftës”.
“Si mund të pretendohet një pasqyrim kronologjik i masakrave, kur një ngjarje e tillë mungon krejtësisht? Si mund të ndihen familjarët e viktimave, kur e shohin se dhimbja dhe sakrifica e tyre nuk ekziston askund në këtë hartë kujtese?”
“Edhe më shqetësuese është fakti që kjo ekspozitë mbështetet në librin ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’. Nëse një vepër që synon të dokumentojë krimet e asaj periudhe nuk përfshin Masakrën e Belegut, atëherë kemi të bëjmë me një qasje selektive dhe të papranueshme ndaj historisë. Kujtesa kolektive nuk mund të ndërtohet mbi përzgjedhje të pjesshme”, tha Endrit Binakaj.
Ai shtoi se përjashtimi i Masakrës së Belegut “nuk është thjesht një mungesë; është një fshirje e padrejtë e 46 jetëve të pafajshme nga narrativi publik”.
Binakaj kritikoi institucionet dhe autorët e kësaj ekspozite të cilët tha se kur marrin përsipër misione të tilla “duhet të tregojnë seriozitet maksimal, ndjeshmëri dhe korrektësi historike”.
“Përndryshe, rrezikojmë që përmes harresës institucionale t’i lëndojmë sërish ata që kanë vuajtur më së shumti”.
“Kujtesa nuk guxon të jetë selektive. Drejtësia ndaj viktimave fillon me përfshirjen e tyre në histori”, përfundoi Endrit Binakaj.
Ekspozitën në fjalë e kanë vizituar gjatë ditës së sotme krerë të shumtë institucionesh në vend, mes tyre kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. /Klankosova.tv


