Futbollisti i kombëtares së Turqisë, Irfan Can Kahveci, ka reaguar pas fishekzjarrëve që u hodhën pranë hotelit ku ishte akomoduar ekipi turk në Prishtinë gjatë orëve të para të mëngjesit. Ai theksoi se incidenti nuk ndikoi negativisht te skuadra, përkundrazi i motivoi edhe më shumë para ndeshjes.
Sipas Kahvecit, skuadra turke ishte e përgatitur për situata të tilla dhe mbetet e fokusuar në objektivat e saj sportive. Ai u shpreh se përpjekje të tilla nuk e dobësojnë ekipin, por e bëjnë atë më të vendosur për të arritur rezultate pozitive në fushë.
Mesfushori turk theksoi se qëllimi i ekipit është rikthimi në skenën më të madhe të futbollit botëror, duke shtuar se për shumë lojtarë pjesëmarrja në Kupën e Botës mbetet një ëndërr e kahershme. Ai shprehu besimin se me përkushtim dhe unitet, skuadra mund ta arrijë këtë synim.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë pritet me interes të madh, ndërsa deklaratat e futbollistit turk kanë marrë vëmendje të gjerë në media sportive.



