Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia franceze në Calais, pasi dyshohet se tentonin të hynin ilegalisht në Britaninë e Madhe të fshehur në një kamion. Sipas mediave ndërkombëtare, kamioni ishte duke u përgatitur të hipte në traget në momentin kur autoritetet ndërhynë dhe kryen arrestimin.
Burime nga hetimi bëjnë të ditur se njëri prej të arrestuarve mbante një armë zjarri të pajisur me silenciator, gjë që ka rritur dyshimet e autoriteteve për lidhje të mundshme me grupe kriminale.
Sipas raportimeve, ekziston frika se të dyshuarit mund të kenë planifikuar të takoheshin me persona të përfshirë në aktivitete kriminale në territorin britanik. Autoritetet kanë nisur hetime për posedim të armëve të ndaluara dhe për tentativë emigrimi të paligjshëm.
Rruga e Kanalit Anglez vazhdon të mbetet një nga korridoret më të përdorura për hyrje të paligjshme në Britani, ndonëse numri i rasteve ka pësuar rënie vitet e fundit krahasuar me vitin 2022.



