Në Kosovë është paralajmëruar një protestë për hapjen e pikës kufitare në Çakorr, e cila do të mbahet më 25 prill, me moton “Mjaft me izolim”. Organizatorët e iniciativës kërkojnë që autoritetet të ndërmarrin hapa urgjentë për hapjen e kësaj pike kufitare, duke e konsideruar atë të rëndësishme për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
Sipas thirrjes publike, banorët dhe aktivistët që mbështesin protestën theksojnë se mungesa e kësaj pike kufitare po ndikon në izolimin e rajoneve përreth dhe po vështirëson qarkullimin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ata kërkojnë që institucionet të trajtojnë këtë çështje si prioritet dhe të japin zgjidhje konkrete për hapjen e kufirit.
Protesta pritet të mbledhë qytetarë nga zona të ndryshme dhe organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se kjo është një kërkesë qytetare dhe jo politike.





