Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vlerësuar se mungesa e rezultateve konkrete në qeverisje po e shtyn vendin sërish drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në një mbledhje të Kryesisë së partisë, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe proceset e brendshme zgjedhore, AAK theksoi se mungesa e një agjende të qartë zhvillimore dhe bashkëpunuese ka krijuar situatë të paqëndrueshme politike në vend.
Sipas këtij subjekti politik, kjo gjendje po rrit mundësinë që vendi të përballet sërish me zgjedhje, duke reflektuar krizën aktuale institucionale dhe mungesën e progresit në qeverisje.
AAK gjithashtu bëri të ditur se është duke zhvilluar proceset e saj të brendshme zgjedhore, të cilat pritet të përfundojnë në maj, me mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor, ku do të zgjidhen strukturat e reja drejtuese të partisë.
Këto deklarata vijnë në një periudhë tensionesh politike në Kosovë, ku çështje të rëndësishme institucionale, përfshirë zgjedhjen e presidentit dhe funksionimin e institucioneve, vazhdojnë të mbeten të hapura.



