Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj mënyrës se si Komisioni për Legjislacion ka thirrur dëgjimin publik për Projektligjin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ky institut ka vlerësuar se dëgjimi publik për projektligjin është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Sipas IKD-së, ftesa është publikuar më pak se 24 orë para takimit, ndonëse procedura e rregullt kërkon të paktën pesë ditë afat.
Kjo organizatë ka thënë se qasja e tillë e bën konsultimin vetëm formal, duke cenuar besueshmërinë e procesit për një projektligj që tashmë është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese.
“Për këto arsye, IKD nuk do të marrë pjesë në këtë dëgjim publik, pasi pjesëmarrja do të nënkuptonte validim të një procesi të përshpejtuar dhe jo adekuat.”, thuhet në reagimin e IKD-së. /Klankosova.tv



