Home > Uncategorized > Shiti pronën dhe u zhduk: Rrëfimi me shumë pikëpyetje (VIDEO)

Shiti pronën dhe u zhduk: Rrëfimi me shumë pikëpyetje (VIDEO)

///
Comments are Off

Emisioni MAT në Klan Kosova ka tentuar për disa ditë të kontaktojë Agim Mehmetin, për të sqaruar se si kishte marrë autorizimin për shitjen e shtëpisë së Selatin Mehmetit, ndonëse ky i fundit kishte vdekur në vitin 1989.

Në adresën që Agimi kishte lënë në gjykatë, sot jeton vëllai i tij. Gruaja e vëllait tha se Agim Mehmeti jeton jashtë Kosovës dhe se nuk ka kontakte me familjen.

“Agim Mehmeti nuk jeton këtu, është jashtë”, tha ajo.

“Unë skam kurrfarë informate, personalisht. As nuk më ka ra me nejtë me të shumë. se unë jam martu vonë”, shtoi ajo për emisionin MAT.

Edhe vëllai i Agimit deklaroi se nuk ka kontakte me të prej vitesh.

“As unë s’kam kontakt me të, diku afër qe tetë vjet”, tha ai në një bisedë telefonike me gazetaren e emisionit MAT.

Kur u pyet për shtëpinë në Prishtinë të familjes Mehmeti, ai e ndërpreu bisedën dhe më vonë refuzoi të fliste për këtë çështje.

“Në rregull jemi, të përshëndes, çdo të mirë. Që vjen edhe njëherë te dera, më nuk e di çka bëj, se më ke mbështetë për muri, veç edhe një herë më shkon te dera”, tha I.Mehmeti, teksa më vonë edhe e kërcënoi gazetaren me Kanun.

“Më hin në derë të oborrit ose më ndalesh para dere, unë e lajmëroj rastin në polici, s’merr policia kurrgjë, na, ti e din, e kemi edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit”, tha I.Mehmeti, për emisionin Mat në Klan Kosova.

Më 12 nëntor 2009, ishte bërë një kallëzim penal ndaj Agim Mehmetit dhe Selatin Mehmetit, pikërisht për këtë autorizim, nën dyshimet për falsifikim të dokumentit.

Gjatë intervistimit, Agim Mehmeti kishte deklaruar se pas luftës ishte vendosur me familjen në një shtëpi të braktisur në rrugën “Dalmatinska” në Prishtinë dhe se më pas e kishte blerë atë nga Selatin Mehmeti për 35 mijë euro, por pa paraqitur prova për pagesën.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni MAT, personi që ishte paraqitur si Selatin Mehmeti nuk figuron në Regjistrin Civil Qendror të Kosovës.

Një vit pas autorizimit, Agim Mehmeti e kishte shitur shtëpinë te Gani Preniqi për 43 mijë euro, ndërsa kontrata ishte vërtetuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës më 2 qershor 2006.

Ndiqeni më poshtë këtë pjesë të emisionit:

Verified by MonsterInsights