Tentim kontrabande në Burgun e Mitrovicës: Telefona të fshehur brenda topave sportivë
Një tentim kontrabande është parandaluar në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, ku dy telefona mobil janë zbuluar të fshehur brenda një topi sportiv, raporton Gazeta Kombi, bazuar në informacionet e publikuara nga Sinjali.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), gjatë kontrollit rutinë në hapësirat e jashtme të institucionit, konkretisht në oborrin e burgut, zyrtarët korrektues kanë identifikuar nëntë topa të mbetur nga aktivitetet sportive të të burgosurve.
Pas verifikimit të njërit prej topave që ishte konsideruar i dyshimtë, brenda tij janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona mobil të modelit iPhone, dy kartela SIM dhe një kabllo mbushëse.
Sipas SHKK-së, me këtë veprim është parandaluar futja e mjeteve të ndaluara brenda institucionit korrektues.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa janë iniciuar procedurat hetimore dhe disiplinore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin e çdo veprimtarie të kundërligjshme brenda institucioneve korrektuese dhe garantimin e sigurisë në të gjitha qendrat”, thuhet në njoftimin zyrtar.






