Home > Uncategorized > Vjedhje e rëndë në Komogllavë: Familjes Ukshini i vidhen mbi 40 mijë euro, ari dhe armë zjarri

Vjedhje e rëndë në Komogllavë: Familjes Ukshini i vidhen mbi 40 mijë euro, ari dhe armë zjarri

///
Comments are Off

Familja Ukshini nga fshati Komogllavë i Ferizajt është bërë cak i një vjedhjeje të rëndë mbrëmjen e së enjtes, ku hajnat dyshohet se kanë vjedhur para të gatshme, stoli ari dhe armë në vlerë të konsiderueshme.

Siç ka njoftuar Policia, në shtëpinë e parë të familjes janë vjedhur rreth 15 mijë euro para të gatshme, stoli ari në vlerë prej rreth 8 mijë eurosh, si dhe një armë pistoletë.

Megjithatë, hajnat nuk janë ndalur me kaq!

Ata dyshohet se kanë depërtuar edhe në një shtëpi tjetër të së njëjtës familje, ku kanë marrë stoli ari në vlerë rreth 15 mijë euro, rreth 6 mijë euro para të gatshme dhe një tjetër armë pistoletë.

Një familjar ka bërë të ditur për redaksinë e Klankosova,tv se vjedhja ka ndodhur në tri shtëpi të familjes Ukshini, duke dërguar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, policia ka konfirmuar vetëm për dy raste të vjedhjes në këtë familje.

Njëherësh, Policia thotë se sipas informacioneve fillestare, të dyshuarit kanë depërtuar përmes dritareve, ndërsa nga vendi i ngjarjes është marrë edhe DVR-i i kamerave të sigurisë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Hetimeve dhe Forenzikës Rajonale, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin.  Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë./Klankosova.tv

Verified by MonsterInsights