Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar pesë ankesat e paraqitura pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke hapur rrugën për fazën e radhës të procesit zgjedhor.
Ankuesit, përfshirë Bekim Haxhiun, Qëndrim Kryeziun, Listën Serbe dhe Partinë e Re Demokratike (NDS), kanë të drejtë që brenda 48 orëve nga publikimi i vendimeve të PZAP-it t’i drejtohen Gjykatës Supreme.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata Supreme ka afat deri në pesë ditë për të shqyrtuar ankesat. Nëse edhe kjo gjykatë i refuzon ato, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të vazhdojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, fillon afati ligjor prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe nisjen e procedurave për formimin e institucioneve të reja.



