Protesta e organizuar nga diaspora shqiptare në Bernë ka tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane, të cilat kanë raportuar për tubimin e mbajtur në sheshin Bundesplatz, para Parlamentit Federal të Zvicrës. Sipas agjencisë zvicerane Keystone-SDA, rreth 100 persona morën pjesë në demonstratë në shenjë solidariteti me protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
Demonstruesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë në Tiranë dhe reforma kushtetuese, përfshirë vendosjen e kufizimeve për mandatet e kryeministrit. Në pankartat e protestës u shfaqën mesazhe që bënin thirrje për forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe transparencës.
Sipas raportimit të mediave zvicerane, protesta u organizua nga pjesëtarë të diasporës shqiptare në Zvicër, të cilët theksuan se ndihen të lidhur me zhvillimet në Shqipëri dhe kërkojnë ndryshime përmes mjeteve demokratike.
Kjo është një nga protestat e radhës të organizuara nga diaspora shqiptare në Zvicër në mbështetje të lëvizjes protestuese në Shqipëri, e cila ka nxitur reagime edhe jashtë vendit.



