Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai drejton do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Hamza tha se biseda me Kurtin ishte korrekte, por theksoi se qëndrimi i PDK-së nuk ka ndryshuar. Ai uroi sukses për përpjekjet për formimin e institucioneve të reja, duke shtuar se përgjegjësia për sigurimin e shumicës i takon partisë fituese.
Sipas tij, PDK do të vazhdojë të luajë rolin e një opozite konstruktive në Kuvend, duke mbështetur nismat që janë në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
Deklarata e Hamzës vjen në kuadër të konsultimeve politike për formimin e institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ndërsa takimi me Kurtin përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.



