Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të rreth 80 personave në Han të Elezit, duke bërë të ditur se në kuadër të hetimeve do të intervistohen dy pronarë lokalesh.
Sipas Policisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa njësitë hetimore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
Autoritetet kanë konfirmuar se intervistimi i dy pronarëve të lokaleve do të bëhet në funksion të hetimeve, ndërsa Policia po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë dhe institucionet shëndetësore për të identifikuar shkakun e helmimit të dyshuar.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa institucionet kanë bërë të ditur se do të informojnë opinionin publik për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.





