Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka vazhduar të marrë pagë si ushtruese detyre e drejtoreshës së një institucioni paralel serb në Kosovë, edhe pasi ai ishte mbyllur zyrtarisht.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, Paunoviq figuroi në këtë pozitë për më shumë se një dekadë dhe përfitoi pagë nga buxheti i Serbisë deri në emërimin e saj si ministre në vitin 2025.
Dokumentet tregojnë se institucioni farmaceutik në Pejë ishte mbyllur në vitin 2021, megjithatë emri i Paunoviq vazhdoi të figurojë si ushtruese detyre e drejtoreshës deri në largimin e saj nga posti për shkak të detyrës ministrore.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta, sidomos në dritën e deklaratave të fundit të Paunoviq për Kosovën, të cilat kanë shkaktuar kritika të forta nga institucionet dhe zyrtarët në Kosovë.



