Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës, Arnaud Dusaucy.
Gjatë takimit, Haxhiu i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri belg dhe sukses në misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Ajo ka theksuar se Kosova dhe Belgjika kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të mira, të bazuara në miqësi, partneritet dhe mbështetje të vazhdueshme.
Sipas Haxhiut, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të vazhdojë të thellohet në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë zhvillimin institucional dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Takimi me ambasadorin e ri belg vjen në kuadër të angazhimeve diplomatike dhe kontakteve të institucioneve të Kosovës me përfaqësuesit e vendeve partnere.







