Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka komentuar votën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për kandidaten e Listës Serbe, Tanja Vujoviq, e cila u zgjodh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Vujoviq mori 62 vota për, të siguruara nga deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të Listës Serbe.
Murati tha se Lista Serbe kishte të drejtën e propozimit të kandidatit, pasi përfaqëson shumicën e deputetëve të komunitetit serb në Kuvend.
Duke shpjeguar votën e VV-së, ai tha se nuk i kishin mbështetur të gjithë kandidatët e propozuar më herët, por në fund vendosën ta votonin Vujoviqin për të mos penguar konstituimin e Kuvendit.
“Nuk është se të gjithë i votuam”, tha Murati, duke shtuar se kandidatja e fundit u votua në mënyrë që Kuvendi të konstituohej dhe procesi të mos mbetej peng.
Votimi vjen pas një procesi të gjatë të përplasjeve politike rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.







