Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se misioni i KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të jetë prezent, pavarësisht zhvillimeve që lidhen me aktgjykimin e pritshëm në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Ruttës, prania e KFOR-it në Kosovë bazohet në mandatin e tij për garantimin e një ambienti të sigurt dhe stabilitetit në vend.
“KFOR-i është aty”, ka deklaruar Rutte, duke theksuar se misioni i NATO-s do të vazhdojë punën e tij pavarësisht zhvillimeve politike apo gjyqësore.
Deklarata e kreut të NATO-s vjen në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka qenë në qendër të vëmendjes në Kosovë dhe ndërkombëtarisht, ndërsa të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.







