Charles L. Smith III është gjyqtari amerikan që kryesoi Trupin Gjykues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe lexoi aktgjykimin e shpallur më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Trupi gjykues dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, Rexhep Selimin me 13 vjet dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet, që së bashku bëjnë 81 vjet burgim. Të katër u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Por kush është Charles Smith?
Smith është shtetas amerikan dhe është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017. Që nga 29 prilli 2020 ai mban edhe pozitën e nënkryetarit të gjykatës. Përveç rastit Thaçi dhe të tjerët, ai ka kryesuar trupin gjykues edhe në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Angazhimi i tij në sistemin e drejtësisë në Kosovë kishte nisur shumë më herët. Nga viti 2010 deri më 2013, Smith shërbeu si gjyqtar i EULEX-it, ndërsa nga viti 2011 deri më 2013 ishte edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjatë këtij mandati ai shërbeu fillimisht si nënkryetar dhe më pas si kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Para angazhimit në Kosovë, Smith kishte një karrierë të gjatë në drejtësinë amerikane. Në vitin 1990 u emërua gjyqtar në Distriktin e Katërt Gjyqësor të shtetit Iowa, ndërsa nga viti 1996 deri më 2010 shërbeu si kryegjyqtar. Ai ishte gjithashtu anëtar i Këshillit Gjyqësor të Iowas.
Nga viti 1970 deri më 1989, Smith ushtroi profesionin e avokatit privat, duke u marrë me çështje civile dhe penale, si dhe me të drejtën e biznesit, tatimeve dhe trashëgimisë. Ai përfundoi studimet juridike në Creighton University dhe mori gradën Juris Doctor në vitin 1970. U pranua në Odën e Avokatëve të Nebraskës në vitin 1970 dhe në atë të Iowas një vit më vonë.
Prej vitit 2014, Smith ka punuar gjithashtu si ndërmjetësues dhe arbitër. Në Dhomat e Specializuara ai ushtron edhe funksionin e gjyqtarit të lartë për apelimet e personelit.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit të 16 shtatorit, Smith theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin për një Kosovë të pavarur, por me përgjegjësinë penale të katër të akuzuarve për veprimet që trajtoheshin në aktakuzë.







