Aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vëmendje të gjerë edhe në mediat ndërkombëtare, përfshirë hapësirën mediatike franceze, ku është rikthyer në fokus rrugëtimi i tij nga një prej figurave kryesore të luftës dhe shtetformimit të Kosovës deri te dënimi në Hagë.
Agjencia franceze AFP publikoi një profil të Thaçit pas shqiptimit të dënimit prej 25 vjetësh, duke e përshkruar transformimin e figurës së tij publike nga udhëheqës i UÇK-së dhe kryeministër e president i Kosovës, në të dënuar nga Dhomat e Specializuara për krime lufte.
Në këtë kontekst është rikujtuar edhe cilësimi i famshëm që Joe Biden kishte përdorur vite më parë për Thaçin, duke e quajtur atë “George Washingtoni i Kosovës”. Ky përshkrim ishte cituar edhe më herët nga media të mëdha franceze, përfshirë Le Figaro dhe Le Monde.
Thaçi ishte një nga figurat kryesore politike të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999, ndërsa më pas mori rol qendror në politikën kosovare. Ai u bë kryeministër dhe më vonë president i Kosovës, ndërsa ishte një nga protagonistët e proceseve që çuan drejt shpalljes së pavarësisë më 2008.
Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale në Hagë e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim për katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Trupi gjykues e shpalli atë të pafajshëm për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Raportimet ndërkombëtare kanë vënë në pah kontrastin mes rolit që Thaçi kishte në marrëdhëniet me Perëndimin gjatë dhe pas luftës dhe përfundimit të tij para një gjykate në Hagë. Associated Press e përshkroi vendimin si një kthesë të madhe për një figurë që dikur ishte mirëpritur nga liderët perëndimorë dhe kishte marrë pjesë në negociatat e Rambujesë më 1999.







