Home > Lajme > Drejtori i Arsimit kërkon që flamuri i UÇK-së të vendoset në të gjitha shkollat e Prishtinës

Drejtori i Arsimit kërkon që flamuri i UÇK-së të vendoset në të gjitha shkollat e Prishtinës

///
Comments are Off

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, u ka kërkuar zyrtarisht të gjitha institucioneve arsimore publike të kryeqytetit që, krahas flamurit të Republikës së Kosovës, në hyrjet kryesore të vendosin edhe flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kërkesa u është përcjellë drejtorëve të shkollave përmes një shkrese zyrtare. Në dokument, Drejtoria e Arsimit e cilëson UÇK-në si pjesë të pandashme të historisë së çlirimit të Kosovës dhe thotë se historia e saj duhet t’u përcillet brezave të rinj.

Liria që gëzojmë sot ka një histori. Dhe ajo histori duhet të kujtohet, të respektohet dhe t’u përcillet brezave që vijnë”, thuhet në shkresën e Drejtorisë së Arsimit.

Sipas dokumentit, institucionet arsimore nuk konsiderohen vetëm hapësira ku nxënësit marrin dije, por edhe vende ku formohet kujtesa historike dhe qytetare e brezave të rinj.

Drejtoria ka kërkuar që flamuri i UÇK-së të vendoset në hyrjen kryesore të secilës shkollë publike, krahas flamurit të Kosovës, duke respektuar rregullat institucionale dhe protokollare. Vendosja është kërkuar të bëhet “në mënyrë dinjitoze dhe të njëtrajtshme”.

Nisma vjen në një periudhë kur Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka organizuar edhe aktivitete të tjera që lidhen me historinë e UÇK-së. Më 16 shtator, ora e parë mësimore në shkollat e kryeqytetit ishte kërkuar t’i kushtohej luftës së UÇK-së dhe historisë së çlirimit të Kosovës.

Verified by MonsterInsights