Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Deklarata është lexuar në Kuvend nga kryetari i tij, Niko Peleshi, ndërsa institucioni shqiptar ka shprehur “indinjatë të thellë dhe mosdakordësi të plotë” me vendimin, të cilin e ka cilësuar si “thellësisht të padrejtë”.
Në deklaratë thuhet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe se aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë, sipas qëndrimit të Kuvendit, karakterin e saj historik.
“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi ka shprehur gjithashtu solidaritet me Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj, si dhe me Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin dhe familjet e tyre. Institucioni ka deklaruar se mbetet në bindjen e tij për pafajësinë e katër ish-krerëve të UÇK-së. Ky është qëndrimi politik i Kuvendit shqiptar; aktgjykimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara i shpalli të katërt fajtorë për disa akuza për krime lufte.
Deklarata kërkon që të shfrytëzohen deri në fund të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit, duke vënë theksin te procedura e apelimit dhe respektimi i standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Kuvendi i Shqipërisë ka paralajmëruar gjithashtu koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe u ka bërë thirrje qeverive të dy vendeve që të bashkërendojnë veprimet institucionale lidhur me këtë çështje. Po ashtu, në deklaratë thuhet se Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë në forumet ndërkombëtare drejtësi për viktimat e krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Miloševićit në Kosovë.







