Home > Lajme > Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi: Numri i të ndjekurve serbë nuk përputhet me shkallën e krimeve në Kosovë

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi: Numri i të ndjekurve serbë nuk përputhet me shkallën e krimeve në Kosovë

///
Comments are Off

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka vlerësuar se numri i rasteve penale ndaj pjesëtarëve të forcave serbe për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk është në përputhje me përmasat dhe shkallën e krimeve të kryera gjatë luftës. Ky vlerësim është bërë në raportin e organizatës për gjykimet e krimeve të luftës në Serbi.

Sipas të dhënave të autoriteteve serbe të cituara nga Radio Evropa e Lirë, nga themelimi i Departamentit për Krime Lufte në vitin 2003 janë ngritur 270 aktakuza. Në 112 raste ka pasur dënime, ndërsa 29 persona janë liruar.

Ndërkohë, Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12 mijë e 230 viktima të luftës, shumica dërrmuese shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, sipas raportimit të Sinjalit.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka thënë se mungesa e bashkëpunimit juridik ndërmjet vendeve të ish-Jugosllavisë vazhdon të jetë një pengesë serioze për ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës, sidomos kur të dyshuarit ndodhen jashtë juridiksionit ku zhvillohet procesi.

Ai ka theksuar se pas kalimit të kompetencave nga UNMIK-u dhe EULEX-i te institucionet vendore, ka ndryshuar edhe përbërja etnike e të akuzuarve. Sipas tij, në kohën kur proceset udhëhiqeshin nga ndërkombëtarët, shumica e të akuzuarve ishin shqiptarë, ndërsa shumë të dyshuar nga radhët e forcave serbe nuk ishin të qasshëm për autoritetet kosovare.

Që nga viti 2022, Kodi i Procedurës Penale i Kosovës ka mundësuar gjykimet në mungesë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, deri në shkurt të vitit 2025 ishin ngritur 15 aktakuza në mungesë ndaj 73 pjesëtarëve të forcave serbe.

Verified by MonsterInsights