Home > Lajme > 15-vjeçari vritet në Gjermani pas një përleshjeje, policia kërkon dy të dyshuarit

15-vjeçari vritet në Gjermani pas një përleshjeje, policia kërkon dy të dyshuarit

///
Comments are Off

Një 15-vjeçar ka humbur jetën pas një përleshjeje në qytetin Marsberg të Gjermanisë, ndërsa policia gjermane po kërkon dy persona të dyshuar për përfshirje në rast.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 19 shtator, rreth orës 20:15–20:30, ku dyshohet se fillimisht janë përfshirë katër persona në një konflikt.

Gjatë përleshjes, 15-vjeçari është goditur me thikë dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Një tjetër 18-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në fytyrë dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Policia ka bërë publike kërkimin për dy persona të dyshuar, të cilët dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas burimeve të publikuara nga Mitropol, njëri prej të dyshuarve është identifikuar si Albin Bejtullahu, i lindur më 4 shkurt 2003, me vendlindje në Smrekonicë të Vushtrrisë. Sipas përshkrimit të policisë, ai është rreth 1.75 metra i gjatë, me flokë dhe sy kafe.

I dyshuari tjetër është identifikuar si Alex Olntasi, i lindur më 30 dhjetor 2003 në Volos të Greqisë, i cili përshkruhet si rreth 1.78 metra i gjatë dhe me trup atletik.

Sipas raportimit, konflikti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje që lidhej me një borxh prej 200 eurosh ndaj një vajze. Dy të rinjtë dyshohet se i kanë kërkuar paratë, ndërsa situata më pas ka përshkallëzuar.

Në përpjekje për ta mbrojtur vajzën, 15-vjeçari Brian dhe një shok i tij dyshohet se kanë ndërhyrë në konflikt, pas së cilës kanë ndodhur sulmet me thikë.

Policia gjermane ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin e të dyshuarve.

Ndaj personave të dyshuar vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Verified by MonsterInsights