Home > Lajme > Ramadani pas vendimit të Kushtetueses: Deri më 6 tetor zgjidhet Presidenti ose vendi shkon në zgjedhje

Ramadani pas vendimit të Kushtetueses: Deri më 6 tetor zgjidhet Presidenti ose vendi shkon në zgjedhje

///
Comments are Off

Burim Ramadani ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si dështim të qasjes së pushtetit ndaj afateve kushtetuese.

Ramadani ka deklaruar se Kushtetuta dhe afatet e përcaktuara në të nuk mund të trajtohen si çështje këshilluese, ndërsa ka theksuar konstatimin e Gjykatës se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.

“U dështoi loja pushtetarëve! Le ta mësojnë këta pushtetarët: Kushtetuta nuk është copë letre këshilluese dhe afatet kushtetuese nuk janë dekor”, ka shkruar Ramadani në reagimin e tij.

Ai ka veçuar edhe afatin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

“Deri më 6 tetor ose zgjidhet Presidenti ose shkohet në zgjedhje”, ka deklaruar Ramadani.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026. Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda afatit 60-ditor nga fillimi i procedurës së zgjedhjes.

Ramadani ka pretenduar gjithashtu se veprimet e pushtetit nga 8 gushti deri më 13 shtator janë rrëzuar nga vendimi i Kushtetueses.

Megjithatë, aktgjykimi ka konstatuar se vendimi i Kuvendit i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës. Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët ta zgjedhin sa më parë nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.

Verified by MonsterInsights