Home > Lajme > Gërvalla përkujton Banjskën, ende pa reagim publik për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Gërvalla përkujton Banjskën, ende pa reagim publik për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

///
Comments are Off

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Në reagimin e publikuar në Facebook, Gërvalla e cilësoi sulmin në Banjskë si sulm të organizuar kundër sovranitetit të Kosovës dhe kërkoi që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion ndaj Serbisë për dorëzimin e personave që Kosova i kërkon për këtë rast.

Ajo përmendi në veçanti Milan Radoiçiqin dhe tha se ai nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë përgjithmonë. Radoiçiq kishte pranuar publikisht përfshirjen e tij në ngjarjet e Banjskës, ndërsa në shtator të vitit 2024 Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave të tjerë. Serbia ka mohuar pretendimet e autoriteteve të Kosovës se shteti serb qëndronte pas sulmit.

Gërvalla tha se drejtësia për rastin ka filluar të vendoset edhe përmes dënimit të tre personave të përfshirë. Në prill të këtij viti, një gjykatë në Prishtinë dënoi Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim për rolin e tyre në sulmin e Banjskës.

“Por mbi agresionin, krimin e terrorin fitoi Kosova”, ka shkruar Gërvalla, duke thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi për sulmin.

Postimi i saj ka marrë vëmendje edhe për një arsye tjetër. Që nga aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Sinjali dhe Lajmi.net raportojnë se Gërvalla nuk ka bërë ndonjë reagim publik lidhur me vendimin.

Sipas Sinjalit, pas publikimit të reagimit për Banjskën, komentet në faqen zyrtare të Gërvallës në Facebook ishin të çaktivizuara, duke pamundësuar komentimin nga përdoruesit. Mediumi raporton gjithashtu se deri në momentin e publikimit nuk kishte pasur reagim as në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli fajtorë Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet.

Verified by MonsterInsights