Home > Ballina > Mali i Zi ndal 24.6 ton mish të skaduar për Kosovë, në dy raste kapen gati 103 tonë

Mali i Zi ndal 24.6 ton mish të skaduar për Kosovë, në dy raste kapen gati 103 tonë

///
Comments are Off

Autoritetet doganore të Malit të Zi kanë ndaluar në Portin e Tivarit edhe një dërgesë me mish të ngrirë viçi me afat të skaduar, e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”. Vetëm në këtë kontejner ndodheshin 24 mijë e 650 kilogramë mish, ndërsa bashkë me tri dërgesat e ndaluara më herët, sasia totale e bllokuar arrin në pothuajse 103 tonë.

Sipas Drejtorisë së Doganës së Malit të Zi, kontrolli është kryer më 24 shtator 2026. Brenda kontejnerit janë gjetur gjithsej 1 mijë e 321 pako, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh.

Kontrolli ka konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte përfunduar më 14 maj 2026, pra më shumë se katër muaj para se dërgesa të kontrollohej në Tivar. Pas konstatimit, Dogana ka njoftuar menjëherë inspektorin veterinar dhe Policinë e Malit të Zi, të cilët janë përfshirë në procedurat e mëtejshme.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që autoritetet malazeze ndalojnë sasi të mëdha mishi të destinuara për të njëjtën kompani kosovare.

Më 15 shtator, Dogana e Malit të Zi kishte bllokuar tre kontejnerë të tjerë me mish të ngrirë viçi, me peshë të përgjithshme prej 77,841.03 kilogramësh. Në atë rast, autoritetet thanë se mishi ishte me origjinë nga Brazili dhe ishte i destinuar për tregun e Kosovës.

Hetimi i rastit të parë kishte zbuluar një element edhe më serioz. Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Malit të Zi, punëtorë të angazhuar nga kompania kosovare kishin hequr deklaratat origjinale ku figuronte afati i skaduar dhe kishin vendosur etiketa të reja me afat të ndryshuar.

Autoritetet malazeze kanë bërë të ditur se mishi nga tre kontejnerët e parë do të asgjësohet pas përfundimit të formaliteteve ligjore.

Dogana ka njoftuar gjithashtu se, përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, janë konstatuar parregullsi të lidhura me të njëjtën kompani edhe në Portin e Durrësit. Informacionet janë shkëmbyer me autoritetet përkatëse.

Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat e tjera doganore të informohen për mënyrën e tentuar të distribuimit të mishit.

Në total, në dy rastet e fundit, Dogana e Malit të Zi thotë se ka ndaluar 102,491.03 kilogramë mish viçi, apo pothuajse 103 tonë, të lidhur me dërgesat për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”

Verified by MonsterInsights