Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i është drejtuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, me kërkesë që të procedohet më tej me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Reagimi i Tahirit erdhi pasi Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Donikë, sille ligjin! 99 deputetë shprehën vullnetin për ta mbrojtur UÇK-në dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare. UÇK-ja është e të gjithëve”, ka deklaruar Tahiri në reagimin e tij publik.
Kërkesa lidhet me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nismë e propozuar nga PDK-ja dhe e përcjellë në Qeveri për mendim.
Tahiri kishte deklaruar edhe më 25 shtator se nisma ishte dërguar në Qeveri dhe se institucionet duhej të vepronin me përgjegjësi dhe urgjencë lidhur me procesin e mëtejshëm.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishte bërë të ditur se ekspertët e Ministrisë po e analizojnë projektligjin dhe se opinioni do t’i përcillet Qeverisë pas përfundimit të shqyrtimit. Ajo ka thënë se procesi nuk do të vonohet, por ka kërkuar që vendimmarrja të bëhet me kujdes për shkak të çështjeve juridike që lidhen me Dhomat e Specializuara.
Deklarata e miratuar të hënën në Kuvend ishte harmonizuar ndërmjet grupeve parlamentare dhe trajton qëndrimin e Kuvendit lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara dhe kontekstin e luftës së UÇK-së.
Pas votimit unanim të 99 deputetëve të pranishëm, vëmendja tashmë është zhvendosur te procedurat e mëtejshme për nismën ligjore dhe qëndrimi që Qeveria do të japë pas analizës së projektligjit.







