Një grup të rinjsh janë mbledhur të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, para mbërritjes në Kosovë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Protestuesit kanë dalë me pankarta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara.
Në mesin e mesazheve të shfaqura në pankarta janë “Jo në emrin tim”, “BE, na keni tradhtuar” dhe “Sot Thaçi, nesër Zelensky”.
Protesta në aeroport ishte paralajmëruar për rreth orës 12:05, ndërsa organizatorët kishin bërë thirrje që shprehja e qëndrimit të zhvillohej në mënyrë paqësore, pa dhunë dhe pa provokime.
Vizita e Von der Leyen në Kosovë zhvillohet në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ajo pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë institucionalë të vendit.
Aksioni në aeroport zhvillohet në të njëjtën ditë kur në Prishtinë është paralajmëruar edhe tubimi i madh me moton “Jo në emrin tim”, i cili nis në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu”.
Protestat kanë nisur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa gjatë ditëve të fundit janë organizuar tubime të vazhdueshme në Prishtinë dhe vende të tjera.






