Home > Ballina > IPK nis hetim për pretendimet se u përdor gaz lotsjellës i skaduar

IPK nis hetim për pretendimet se u përdor gaz lotsjellës i skaduar

///
Comments are Off

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka nisur një hetim preliminar lidhur me veprimet e Policisë gjatë protestës së fundit në kryeqytet.

Në kuadër të këtij hetimi do të verifikohen edhe pretendimet se gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve është përdorur gaz lotsjellës me afat të skaduar.

IPK ka sqaruar se hetimi është iniciuar sipas detyrës zyrtare dhe se do të shqyrtohen si ankesat e qytetarëve, ashtu edhe pretendimet që lidhen me pajisjet e përdorura nga Policia.

Dyshimet për gazin lotsjellës ishin ngritur pas protestës së 5 tetorit para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ku situata u përshkallëzua dhe Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve.

Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte ngritur pretendimin se një prej mjeteve të përdorura mbante shënime që lidhen me vitin 2018 dhe se afati i tij mund të kishte skaduar.

Megjithatë, deri në përfundimin e verifikimeve nga institucionet kompetente, nuk është konfirmuar se gazi lotsjellës i përdorur ishte i skaduar.

IPK kishte njoftuar më herët se gjatë protestës kishte monitoruar veprimet e zyrtarëve policorë, përdorimin e forcës dhe të mjeteve të autorizuara, ndërsa kishte pranuar edhe një ankesë për tejkalim të mundshëm të autorizimeve policore.

Hetimi preliminar pritet të sqarojë rrethanat e përdorimit të forcës dhe pretendimet e ngritura për gazin lotsjellës.

Verified by MonsterInsights