Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të tërheqin sanksionet e reja ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke paralajmëruar se masa të tilla cenojnë pavarësinë e institucionit dhe rrezikojnë funksionimin e drejtësisë ndërkombëtare.
Në deklaratën e publikuar të shtunën, më 10 tetor, në emër të BE-së, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka theksuar se kërcënimet dhe presionet ndaj Gjykatës, gjyqtarëve, prokurorëve dhe personave që bashkëpunojnë me të janë të papranueshme.
BE-ja ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e Uashingtonit, duke kërkuar që masat të anulohen sa më shpejt dhe të shmangen veprime të tjera që mund të dëmtojnë pavarësinë e Gjykatës.
Megjithatë, Brukseli ka mirëpritur mundësinë për dialog me administratën amerikane, pasi zbatimi i disa kufizimeve është shtyrë përmes lejeve të përkohshme që mundësojnë vazhdimin e aktiviteteve të caktuara për 180 ditë.
Kjo periudhë shihet si mundësi për bisedime diplomatike ndërmjet SHBA-së dhe shteteve që janë pjesë e Statutit të Romës, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje dhe tërheqjen e sanksioneve.
Vendimi i administratës së presidentit Donald Trump, i shpallur më 9 tetor, vendos kufizime të gjera financiare ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke përfshirë bllokimin e pasurive të saj që janë nën juridiksionin amerikan dhe ndalimin e transaksioneve të caktuara.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka mbrojtur vendimin, duke argumentuar se SHBA-ja nuk e njeh autoritetin e Gjykatës për të ndjekur penalisht qytetarët dhe zyrtarët amerikanë.
Nga ana tjetër, Gjykata Ndërkombëtare Penale i ka kundërshtuar fuqishëm sanksionet, duke i cilësuar si përpjekje për të penguar punën e saj dhe për të ushtruar presion ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
GJNP-ja, me seli në Hagë, është themeluar për të hetuar dhe gjykuar individë të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit, në rastet kur sistemet kombëtare të drejtësisë nuk janë të gatshme ose nuk kanë mundësi të veprojnë.
Bashkimi Evropian ka ritheksuar se do të vazhdojë ta mbështesë Gjykatën dhe është i gatshëm të ndërmarrë masa të nevojshme për të garantuar që institucioni të vazhdojë punën pa ndërhyrje të jashtme.







