Një video e vjetër nga një sallë gjyqi në Holandë është rikthyer në vëmendje në rrjetet sociale, duke treguar reagimin e një babai që humbi vajzën e tij dyvjeçare dhe dy prindërit e bashkëshortes në një aksident të rëndë trafiku.
Ngjarja ndodhi më 21 nëntor 2014, në Gjykatën e Roermondit, ku po shqyrtohej përgjegjësia e një shoferi për aksidentin tragjik që kishte marrë jetën e tre anëtarëve të një familjeje.
Babai i vajzës nuk arriti t’i përmbante emocionet pasi dëgjoi se drejtuesi i automjetit ishte dënuar me vetëm 120 orë punë në dobi të komunitetit. I revoltuar nga vendimi, ai mori një karrige dhe e hodhi në drejtim të gjyqtares.
Karrigia ra në dysheme përpara gjyqtares, ndërsa babai u largua nga salla nga zyrtarët e sigurisë.
Aksidenti kishte ndodhur më 19 maj 2013, në Meijel të Holandës. Një drejtues automjeti me shtetësi polake kishte humbur kontrollin e veturës në një kthesë dhe kishte dalë në shtegun e biçikletave.
Atje kishte goditur një çift të moshuar që po udhëtonte me biçikletë, së bashku me mbesën e tyre dyvjeçare. Të tre humbën jetën në vendngjarje. Gjyshi ishte 67 vjeç, ndërsa gjyshja 64 vjeçe.
Gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të dëshmuar se shpejtësia e madhe kishte shkaktuar humbjen e kontrollit të automjetit. Për këtë arsye, shoferi u dënua me 120 orë punë në dobi të komunitetit dhe ndalim të kushtëzuar të drejtimit të automjetit për një vit.
Vendimi shkaktoi reagime të shumta, ndërsa prokuroria e dërgoi çështjen në apel.
Në shtator të vitit 2015, Gjykata e Apelit në ‘s-Hertogenbosch arriti në një përfundim tjetër, duke konstatuar se drejtuesi kishte vozitur me pakujdesi të rëndë.
Si rezultat, dënimi u ndryshua në 15 muaj burgim dhe ndalim të drejtimit të automjetit për katër vjet.
Pamjet e reagimit të babait vazhdojnë të shpërndahen në internet edhe më shumë se një dekadë pas incidentit. Megjithatë, vendimi prej 120 orësh punë në dobi të komunitetit nuk ishte vendimi përfundimtar në këtë çështje.





