Home > Ballina > Kurti shmang pyetjet për kritikat e BE-së ndaj ligjit për Gjykatën Speciale

Kurti shmang pyetjet për kritikat e BE-së ndaj ligjit për Gjykatën Speciale

///
Comments are Off

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje për kritikat e Bashkimit Evropian ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara së fundmi nga Kuvendi i Kosovës.

I pyetur nga gazetarët të martën, më 13 tetor, për qëndrimin e tij ndaj reagimeve të Brukselit, Kurti është arsyetuar me një takim të planifikuar.

“Më falni, se në ora 12:00 janë duke më pritur në takim”, ka deklaruar shkurt kryeministri, pa komentuar përmbajtjen e kritikave.

Një ditë më parë, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar ashpër ndryshimet ligjore, duke deklaruar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Gjatë një deklarimi në Luksemburg, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Kos i ka cilësuar ndryshimet si të papranueshme, duke theksuar se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se vendet që bëjnë hapa prapa në respektimin e këtyre standardeve rrezikojnë të pengojnë rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Edhe më 8 tetor, BE-ja kishte reaguar zyrtarisht ndaj ligjit, duke kërkuar që Kosova t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara.

Ndryshimet në ligj u miratuan më 6 tetor në Kuvendin e Kosovës, pas një iniciative të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në kohën e reagimeve publike ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, me gjithsej 81 vjet burgim. Vendimi i shkallës së parë është kundërshtuar nga të dënuarit, ndërsa çështja mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në apel.

Gjatë shqyrtimit të ndryshimeve ligjore, Kurti kishte shprehur rezerva për mënyrën e përshpejtuar të procedimit të tyre. Megjithatë, në deklarimin e fundit para gazetarëve, ai nuk ka sqaruar qëndrimin e tij ndaj kritikave të reja të Bashkimit Evropian.

Verified by MonsterInsights