Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, u ka bërë thirrje nxënësve, maturantëve dhe studentëve në të gjithë vendin që të bojkotojnë mësimin dhe t’u bashkohen protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për media, të enjten, më 15 tetor, Berisha kërkoi zgjerimin e bojkotit në institucionet arsimore, duke e cilësuar pjesëmarrjen e të rinjve në protesta si një veprim për mbrojtjen e së ardhmes së tyre.
“U bëj thirrje të gjithë nxënësve, maturantëve, në mbarë Shqipërinë, të bojkotojnë mësimet, shkollën, për të shpëtuar ëndrrën e tyre më të bukur, për të shpëtuar të ardhmen e tyre”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës shqiptare u kërkoi gjithashtu mësuesve dhe pedagogëve që të mbështesin nxënësit dhe studentët në protestat e tyre.
Ai u bëri thirrje edhe sipërmarrësve që të solidarizohen me protestuesit, përfshirë mundësinë e ndërprerjes së punës në shenjë mbështetjeje.
Gjatë deklaratës, Berisha akuzoi qeverinë dhe policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve, duke pretenduar se disa të rinj kanë pësuar lëndime të rënda gjatë përplasjeve. Ai kërkoi edhe dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Thirrja e Berishës vjen në ditën e tretë të protestave studentore në Shqipëri, ku nxënës dhe studentë nga disa qytete kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë. Protestuesit kanë kërkuar përmirësimin e kushteve në arsim, ndërsa gjatë tubimeve janë dëgjuar edhe thirrje për largimin e qeverisë.
Një pjesë e studentëve kanë theksuar se lëvizja e tyre është e pavarur nga partitë politike dhe kanë kundërshtuar ndërhyrjen e forcave politike në organizimin e protestave.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje prindërve që të mbrojnë fëmijët nga përplasjet dhe situatat e dhunshme. Ajo ka deklaruar se në shumë shkolla procesi mësimor po vazhdon dhe ka kërkuar që pakënaqësitë të adresohen përmes dialogut.







