Gjykata e Lartë në Tiranë ka nisur vendosjen e mbrojtëseve metalike në dritaret e objektit, vetëm një ditë pasi një pjesë e godinës u përfshi nga flakët gjatë protestave të dhunshme në kryeqytetin shqiptar.
Në pamjet e publikuara të dielën, më 18 tetor, shihen punonjës duke montuar pllaka hekuri në dritaret e institucionit, si masë mbrojtëse ndaj sulmeve të mundshme gjatë protestave të tjera.
Këto masa vijnë pas ngjarjeve të së shtunës, kur protestuesit hodhën koktej molotovi në drejtim të godinës së Gjykatës së Lartë, duke shkaktuar zjarr dhe dëme materiale.
Flakët fillimisht përfshinë një ambient në katin e parë, ngjitur me gjykatën, ndërsa më pas u përhapën edhe në hapësira të tjera të objektit.
Nga zjarri u përfshi edhe një automjet i parkuar pranë godinës, ndërsa ekipet zjarrfikëse ndërhynë për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.
Pamjet e publikuara pas incidentit treguan dritare të thyera, mobilie të djegura dhe dokumente të shpërndara në ambientet e dëmtuara.
Vendosja e mbrojtëseve prej hekuri është një nga masat e ndërmarra pas incidenteve të njëpasnjëshme që kanë shoqëruar protestat në Shqipëri.
Masa të ngjashme sigurie kanë ndërmarrë edhe disa biznese private në Tiranë, të cilat kanë vendosur mbrojtëse në vitrina dhe hyrje, pas dëmtimeve të shkaktuara gjatë ditëve të fundit.
Protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa gjatë tubimeve të mëparshme janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe Policisë, përdorim i molotovëve dhe dëmtime të institucioneve publike e pronave private.







