Home > Ballina > Çlirim Haziri i bën thirrje Presidentes për Ligjin e Speciales: Ta dekretojë ose ta kthejë në Kuvend

Çlirim Haziri i bën thirrje Presidentes për Ligjin e Speciales: Ta dekretojë ose ta kthejë në Kuvend

///
Comments are Off

Drejtuesi i iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që të marrë vendim për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar që ato të dekretohen ose të kthehen në Kuvend nëse konstatohen probleme kushtetuese apo ligjore.

Në një konferencë për media, të hënën, më 19 tetor, Haziri ka kërkuar veprime konkrete dhe angazhim të koordinuar nga institucionet e Kosovës lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Ai ka kujtuar se iniciativa “Jo në emrin tim” qëndroi për 21 ditë dhe 21 net në sheshet e Prishtinës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Haziri ka theksuar se Presidentja duhet ta shqyrtojë me kujdes ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe të sigurohet që dispozitat e tij janë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane.

“Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, qëllimi nuk duhet të jetë vetëm miratimi formal i ndryshimeve, por krijimi i një baze ligjore të zbatueshme, që mund të prodhojë rezultate konkrete.

Ai ka kërkuar gjithashtu krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e proceseve gjyqësore, në bashkëpunim me universitete, institute dhe ekspertë të drejtësisë.

Ky mekanizëm, sipas Hazirit, duhet të analizojë procedurat, provat dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve, ndërsa raportet profesionale t’u përcillen edhe institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.

“Ne nuk kërkojmë drejtësi të privilegjuar për UÇK-në. Ne kërkojmë drejtësi të drejtë!”, ka deklaruar ai.

Drejtuesi i iniciativës ka pretenduar se gjatë procesit në Gjykatën Speciale janë bërë shkelje serioze, duke kërkuar që pretendimet e tij të shqyrtohen nga ekspertë të pavarur. Ai ka theksuar se edhe viktimat kanë të drejtë të dinë të vërtetën, të mbështetur në fakte dhe prova.

Haziri ka përshëndetur themelimin e grupit qeveritar për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit, por ka kërkuar që puna të fillojë menjëherë, me objektiva dhe afate konkrete.

Ai ka paralajmëruar se iniciativa mund t’u rikthehet protestave nëse institucionet nuk ndërmarrin veprimet e kërkuara.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratuan nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor, ndërsa më 15 tetor iu përcollën Presidentes për shpallje.

Sipas nenit 80 të Kushtetutës, Presidentja ka tetë ditë kohë nga pranimi i ligjit për ta shpallur ose për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim. Nëse nuk merr vendim brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa nënshkrimin e saj.

Ndryshimet kanë nxitur reagime edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka deklaruar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe ka kërkuar respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara.

Verified by MonsterInsights