Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së ish-deputetit Gani Geci, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit prej një muaji ndaj tij.
Vendimi është bërë i ditur të mërkurën, më 21 tetor, ndërsa Geci po hetohet nën dyshimin për veprën penale të kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Mbrojtja e Gecit, e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, kishte kërkuar anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe lirimin e klientit të tij. Si alternativë, kishte propozuar zëvendësimin e paraburgimit me masën e ndalimit të afrimit ndaj personit ose vendit të caktuar.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar ankesën si të pabazuar, duke konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore.
Në ankesë, avokati Berisha ka kundërshtuar mënyrën se si ishin vlerësuar provat dhe rrethanat e rastit, duke argumentuar se gjykata nuk kishte shqyrtuar mjaftueshëm kontekstin e komunikimeve ndërmjet Gecit dhe gazetarit.
Sipas mbrojtjes, ish-deputeti kishte kërkuar takim me Mehmetajn për të kundërshtuar një publikim që, sipas tij, mund të kishte pasoja për sigurinë dhe reputacionin e familjes.
Berisha kishte pretenduar gjithashtu se nuk ekzistonin rrethana të mjaftueshme për të arsyetuar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe se gjykata duhej të shqyrtonte më hollësisht mundësinë e aplikimit të masave më të buta.
Por, Kolegji i Apelit është pajtuar me vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë se, në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale të kanosjes.
Si nisi rasti?
Rasti lidhet me një postim të gazetarit Lirim Mehmetaj në Facebook, në të cilin përmendej deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gani Geci dyshohet se më 11 tetor kishte kërkuar nga gazetari largimin ose ndryshimin e përmbajtjes së postimit.
Pas refuzimit të kësaj kërkese, Prokuroria pretendon se Geci e kishte kanosur gazetarin gjatë një takimi në ambientet e mediumit ku ai punon.
Në dosjen e Prokurorisë përmenden gjithashtu veprimet e mëvonshme të Gecit pranë objektit të televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në një emision televiziv.
Geci ishte arrestuar më 12 tetor, ndërsa më 14 tetor Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar paraburgimin prej një muaji.
Gjatë seancës dëgjimore, ish-deputeti kishte mohuar se e kishte kanosur gazetarin, duke deklaruar se kishte kërkuar vetëm mbrojtjen e familjes së tij.
Nga ana tjetër, avokati i Mehmetajt, Labinot Vata, kishte kërkuar hetim të plotë të rastit dhe masa efektive për mbrojtjen e sigurisë së klientit të tij.
Me vendimin e fundit të Apelit, masa e paraburgimit mbetet në fuqi. Ky është vendim lidhur me masën e sigurisë dhe nuk përbën shpallje të fajësisë së Gecit për veprën penale për të cilën dyshohet.







