Home > Ballina > Haradinaj pas pesë abstenimeve të VV-së për protezat: Invalidët e luftës po lihen në harresë

Haradinaj pas pesë abstenimeve të VV-së për protezat: Invalidët e luftës po lihen në harresë

///
Comments are Off

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pasi Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e mbështeti amendamentin që parashihte ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje të tjera mjekësore për invalidët e luftës.

Haradinaj e ka cilësuar të papranueshëm mosmiratimin e amendamentit, duke akuzuar Qeverinë për mungesë të përkujdesjes ndaj personave që kanë pësuar dëmtime të përhershme gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, invalidët e luftës nuk duhet të përballen me vështirësi financiare për sigurimin e pajisjeve që u nevojiten në jetën e përditshme.

“Është e papranueshme që ata që dhanë gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës, sot të lihen në harresë nga kjo qeveri”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se protezat nuk janë luks, por domosdoshmëri për invalidët e luftës, pasi ato duhet të ndërrohen periodikisht dhe shpenzimet shpesh janë të papërballueshme për përfituesit.

Haradinaj ka kërkuar që shteti ta marrë përsipër sigurimin e këtyre pajisjeve, në mënyrë që invalidët e luftës të mos detyrohen të kërkojnë ndihmë nga miqtë apo bashkatdhetarët në diasporë.

Reagimi i tij erdhi pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet, ku amendamenti për ndarjen e një milion eurove shtesë mori pesë vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime. Pesë deputetët që abstenuan ishin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë diskutimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi nevojën për ndarjen e mjeteve shtesë, duke argumentuar se kjo çështje tashmë është rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, të miratuar në mars të vitit 2024. Sipas tij, shpenzimet mbulohen përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit, Enver Haliti, bëri të ditur se sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga vendimet ekzistuese për mbulimin e shpenzimeve të protezave kanë përfituar 103 persona, prej të cilëve 58 invalidë të luftës së UÇK-së dhe 45 invalidë civilë të luftës. Ai tha se një rast mbetet në shqyrtim.

Në anën tjetër, deputetët Mërgim Lushtaku nga PDK-ja, Teuta Haxhiu nga AAK-ja dhe Avdullah Hoti nga LDK-ja mbështetën amendamentin, duke ngritur shqetësime për vështirësitë që vazhdojnë të raportojnë invalidët e luftës në mbulimin e shpenzimeve.

Hoti kërkoi që financimi i protezave të bëhet pjesë e buxhetit të rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK, për të siguruar një zgjidhje afatgjatë që nuk varet nga vendime të veçanta qeveritare.

Amendamenti ishte propozuar në kuadër të shqyrtimit të ndryshimeve në Ligjin për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026, por nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme në Komisionin për Buxhet.

Verified by MonsterInsights