Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë publik një vendim përmes të cilit ishte refuzuar kërkesa e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për pranimin e deklaratës së një dëshmitari vetëm në formë të shkruar.

Vendimi ishte marrë në tetor të vitit 2025, ndërsa versioni i redaktuar për publikun është vënë në dispozicion më 19 tetor 2026.

Sipas njoftimit të gjykatës, Trupi Gjykues kishte vlerësuar se deklarata e dëshmitarit përmbante informacione që lidheshin drejtpërdrejt me veprimet e disa prej të akuzuarve, si dhe me besueshmërinë e dëshmitarëve që kishin dëshmuar më herët.

Për këtë arsye, gjyqtarët kishin konstatuar se pranimi i deklaratës vetëm në formë të shkruar nuk do të ishte i mjaftueshëm për të garantuar një proces të drejtë.

Gjykata kishte vlerësuar se dëshmitari duhej të ishte në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve të palës kundërshtare, në mënyrë që përmbajtja dhe besueshmëria e dëshmisë të mund të shqyrtoheshin gjatë procesit.

Për rrjedhojë, Trupi Gjykues e kishte ftuar mbrojtjen e Thaçit të paraqiste informacionet e nevojshme për organizimin e dëshmisë në gjykatë, në vend të pranimit të saj vetëm përmes një deklarate me shkrim.

Vendimi lidhet me procesin për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky zhvillim procedural ishte pjesë e fazës së paraqitjes së provave nga mbrojtja, e cila kishte nisur më 15 shtator 2025 dhe kishte përfunduar në dhjetor të po atij viti.

Specialja ka njoftuar edhe për një proces tjetër ndaj Thaçit

Në njoftimin e saj të fundit, gjykata ka rikujtuar edhe datën e shpalljes së aktgjykimit në çështjen e veçantë ndaj Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Aktgjykimi në këtë proces, ku krahas Thaçit akuzohen Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, është caktuar të shpallet më 17 nëntor 2026, në orën 10:00.

Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se gjatë vizitave në objektin e paraburgimit ka ndarë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë dhe ka tentuar të ndikojë në dëshmitë e tyre në bashkëpunim me persona të tjerë.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat në këtë proces.

Gjykimi për këtë çështje kishte nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa deklaratat përmbyllëse ishin mbajtur nga 10 deri më 14 shtator.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se personat që dëshirojnë ta ndjekin shpalljen e aktgjykimit nga galeria e publikut në Hagë duhet të regjistrohen deri më 27 tetor, në orën 16:00.

Seanca do të transmetohet gjithashtu përmes faqes zyrtare të gjykatës, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.