Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat do të mbahen të dielën, më 25 tetor.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, të premten, më 23 tetor, Haradinaj ka kërkuar pjesëmarrje të gjerë në votime, duke shprehur mbështetjen e tij për listën e përbashkët të subjekteve politike shqiptare, “Koalicioni Shqiptar”, që garon me numrin 17.

Ai e ka cilësuar procesin zgjedhor si një mundësi të rëndësishme për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

“Shfrytëzojeni shansin historik për përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, bashkimi i subjekteve shqiptare në një listë të vetme duhet të përcillet edhe me pjesëmarrjen e votuesve në procesin zgjedhor.

Haradinaj ka theksuar se një përfaqësim më i madh parlamentar do t’u mundësonte përfaqësuesve shqiptarë t’i adresonin më fuqishëm çështjet që lidhen me të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi.

Në fund të mesazhit, ai u ka kërkuar votuesve ta mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, duke e përmendur numrin 17 me të cilin kjo listë paraqitet në fletëvotim.

Tetë subjekte shqiptare në një listë të përbashkët

Marrëveshja për krijimin e “Koalicionit Shqiptar” u arrit më 29 shtator në Prishtinë, pas takimit të përfaqësuesve politikë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të organizuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lista e përbashkët, e udhëhequr nga Shaip Kamberi, përfshin përfaqësues të subjekteve politike shqiptare që synojnë përfaqësimin e komunitetit në institucionet qendrore të Serbisë.

Më 5 tetor, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi e miratoi regjistrimin e “Koalicionit Shqiptar” si listë të pakicës kombëtare, ndërsa më 8 tetor u konfirmua numri 17 në listën përfundimtare zgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor 2026.