Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka shënuar një tjetër arritje në karrierën e saj muzikore. Hiti “Training Season” ka kaluar shifrën prej një miliard dëgjimesh në platformën Spotify.

Me këtë sukses, kënga është bërë projekti i 15-të muzikor i Dua Lipës që arrin këtë shifër, duke iu bashkuar hiteve të tjera të artistes, si “Levitating”, “Don’t Start Now”, “New Rules” dhe “Houdini”.

“Training Season” u publikua më 16 shkurt 2024, si kënga e dytë promovuese e albumit të saj të tretë, “Radical Optimism”.

Kënga u realizua në bashkëpunim me producentin Kevin Parker, i njohur nga projekti muzikor Tame Impala, si dhe Caroline Ailin, Danny L Harle dhe Tobias Jesso Jr.

Pas publikimit, “Training Season” arriti vendin e katërt në top-listën zyrtare britanike, ndërsa vazhdoi të grumbullonte miliona dëgjime në platformat muzikore.

Pragun e një miliard dëgjimeve kënga e kaloi gjatë shtatorit 2026, ndërsa deri më 22 tetor kishte regjistruar mbi 1.07 miliard dëgjime, sipas të dhënave të platformave që monitorojnë statistikat e Spotify.

Sukseset e Dua Lipës nuk janë kufizuar vetëm në platformat muzikore. Turneu i saj botëror “Radical Optimism” ka përfshirë koncerte në Evropë, Azi, Amerikën Veriore, Amerikën Latine dhe Australi, duke mbledhur qindra mijëra fansa.

Sipas statistikave të publikuara për 79 koncerte të raportuara, turneu ka shitur mbi 1.86 milionë bileta.

Me 15 këngë që kanë kaluar pragun e një miliard dëgjimeve, Dua Lipa vazhdon të jetë ndër emrat më të suksesshëm të muzikës pop ndërkombëtare.