Policia e Kosovës ka suspenduar nga detyra 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës, pavarësisht se më herët kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet.

Vendimi është marrë të enjten, më 29 tetor 2026, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili po zhvillon hetim paraprak për veprimet dhe mosveprimet e mundshme të zyrtarëve përgjegjës.

Në mesin e të suspenduarve janë edhe zyrtarë të lartë të Policisë në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal dhe drejtues të njësive hetimore.

Sipas njoftimit të Policisë, janë suspenduar zyrtarët që mbanin këto pozita:

  • Ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë.
  • Shefi i Hetimeve Rajonale.
  • Komandanti i Stacionit Policor në Pejë.
  • Zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë.
  • Shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë.
  • Ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës.
  • Komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë.
  • Katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

Suspendimi është ndërmarrë në përputhje me Ligjin për Policinë e Kosovës dhe dispozitat që rregullojnë shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore.

Policia ka theksuar se masa synon të mundësojë zhvillimin e hetimeve të pavarura dhe shqyrtimin e përgjegjësive individuale lidhur me mënyrën se si janë trajtuar raportimet e viktimës.

IPK-ja kishte nisur hetimet me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, duke paralajmëruar shqyrtimin e të gjitha denoncimeve të Arlindës, mënyrës së reagimit të Policisë dhe zbatimit të procedurave për mbrojtjen e saj.

Në qendër të vëmendjes janë vendosur edhe audioincizimet e publikuara në media, në të cilat Arlinda dëgjohet duke kërkuar zbatimin e urdhrit të mbrojtjes dhe duke shprehur frikën për sigurinë e saj.

Suspendimi i 11 policëve vjen pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Këto zhvillime pasojnë protestat në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Policia e Kosovës ka deklaruar se do të bashkëpunojë me institucionet kompetente për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Suspendimi është masë e përkohshme dhe nuk nënkupton konstatim përfundimtar të përgjegjësisë disiplinore apo penale. Hetimet do të përcaktojnë nëse dhe cilat shkelje mund të jenë kryer nga zyrtarët e përfshirë.