Një tjetër letër e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, është bërë publike të dielën, më 1 nëntor, duke zbuluar përpjekjet e saj për të siguruar mbrojtje nga institucionet e drejtësisë.

Letra, e datës 7 shtator 2026, i ishte drejtuar gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Migjen Kastrati. Në të, Zekaj kërkonte trajtimin urgjent të kërkesës për urdhër mbrojtjeje, si dhe zgjidhjen e çështjes së kujdestarisë për djalin e saj.

Dokumenti është publikuar nga Natyra Kuçi, një javë pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

“Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”, thuhet në një pjesë të letrës së saj.

Publikimi i kësaj letre sjell sërish në vëmendje komunikimet e Arlindës me institucionet, përmes të cilave ajo kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe të fëmijës.

Çfarë kishte ndodhur me kërkesën për mbrojtje?

Sipas raportit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë kishte pranuar kërkesën e Arlindës për urdhër mbrojtjeje emergjente më 7 shtator dhe po atë ditë kishte nxjerrë vendim për mbrojtjen e saj.

Megjithatë, më 9 shtator, Arlinda kishte kundërshtuar pjesën e vendimit që lidhej me kujdesin për djalin dhe alimentacionin.

Ministria e Drejtësisë, gjatë prezantimit të raportit për trajtimin institucional të rastit më 30 tetor, deklaroi se shqyrtimi i këtij kundërshtimi ishte zvarritur përtej afateve ligjore. Vendimi për të u mor më 16 tetor.

Më 17 shtator, Arlinda i ishte drejtuar edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke ngritur shqetësime për vonesat dhe rrezikun ndaj jetës së saj. Përgjigjja i kishte ardhur më 20 tetor, vetëm pesë ditë para vrasjes.

KGJK-ja, në raportin e inspektimit të publikuar më 28 tetor, ka theksuar se sipas dokumentacionit gjyqësor, Arlinda kishte pasur urdhër mbrojtjeje gjatë gjithë periudhës. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka evidentuar vonesa dhe mosveprime në trajtimin institucional të rastit.

Për vrasjen e Arlinda Zekajt është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. I arrestuar është edhe ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj. Ndaj të dyve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Publikimi i letrës së re vjen në kohën kur vazhdojnë kërkesat për zbardhjen e përgjegjësive institucionale lidhur me trajtimin e raportimeve dhe kërkesave për mbrojtje që Arlinda kishte bërë para vrasjes.