Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar edhe 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi, në kuadër të masave për tërheqjen e produkteve ushqimore nga operatori ekonomik ELKOS SH.P.K., pas konstatimit të mykut në një sasi të mishit të pulës.
Sipas njoftimit të AUV-së, produktet janë tërhequr nga tregu dhe janë asgjësuar më 30 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.
Në mesin e produkteve të asgjësuara përfshihen mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore.
Kjo masë vjen pas një vendimi të mëhershëm të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pasi gjatë inspektimeve ishte konstatuar prania e mykut.
Myku ishte zbuluar në mishin e pulës nga SHBA-ja
Më 30 tetor, AUV kishte njoftuar se gjatë kontrollit në kompaninë ELKOS Group SH.P.K. kishte evidentuar myk në kofshët e ngrira të pulës të markës “Sanderson Farms”, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Produkti ishte identifikuar me numrin e serisë LOT 53110 dhe ishte i paketuar në 313 pako me nga 10 kilogramë.
Agjencia e kishte vlerësuar këtë produkt si të papërshtatshëm për konsum njerëzor dhe kishte urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes dhe asgjësimin e tij.
AUV u kishte bërë thirrje qytetarëve që kishin blerë kofshë pule të markës “Sanderson Farms”, me numër LOT 53110, të mos i konsumonin dhe t’i kthenin në pikën e shitjes.
Kontrollet dhe tërheqja e produkteve vazhdojnë
AUV ka njoftuar se procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera të produkteve ushqimore është ende duke vazhduar.
Vëmendje e veçantë po u kushtohet produkteve te të cilat janë vërejtur ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mundshme të mykut.
Agjencia ka paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve për dokumentacionin e importit, kushtet e ruajtjes së produkteve dhe respektimin e zinxhirit të ftohjes, me qëllim parandalimin e rreziqeve për shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkohë, nuk është konfirmuar se në të gjitha produktet e përfshira në sasinë e re prej 21,226 kilogramësh është konstatuar prani e mykut. Ky konstatim është bërë publik për sasinë fillestare të kofshëve të pulës.






