Qeveria e Kosovës pritet të mbajë të hënën, më 2 nëntor, mbledhjen e radhës, ku ndër çështjet kryesore do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

Mbledhja vjen pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm do të ketë në fokus investimet kapitale, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së vendeve të punës.

Sipas Kurtit, për herë të parë investimet kapitale të planifikuara do ta tejkalojnë vlerën prej një miliard eurosh.

Kryeministri ka deklaruar se buxheti do t’u japë përparësi projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugëve, zhvillimin e hekurudhave dhe ndërtimin e digave.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se për komunat e Kosovës do të ndahen gjithsej 908 milionë euro, shumë që, sipas tij, përfaqëson rritje të konsiderueshme krahasuar me buxhetin e trashëguar nga qeverisjet e mëparshme.

Miratimi i buxhetit jashtë afatit ligjor

Mbledhja e Qeverisë zhvillohet pas përfundimit të afatit ligjor për dorëzimin e projektbuxhetit në Kuvend, i cili ishte 31 tetori.

Kjo ka nxitur reagime nga opozita, përfshirë deputetët e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, të cilët e kanë kritikuar Qeverinë për mosrespektimin e afatit.

Hoti ka deklaruar se Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin pasues t’ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor.

Ndërkohë, Kurti ka theksuar se buxheti i vitit 2027 synon përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës me paga më të mira.

Pas miratimit eventual nga Qeveria, projektligji duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

Deri në verifikimin e fundit, miratimi i projektbuxhetit në mbledhjen e sotme nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.